
Kryetari i fshatit Dejnë, Muharrem Morina: Kujdes mërgimtarë, mos ndani dokumentet tuaja personale me grupe politike!
Kryetari i fshatit Dejnë, Muharrem Morina, ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura nga disa familjarë mërgimtarë që jetojnë dhe veprojnë në Perëndim. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj individëve apo grupeve të caktuara politike që po kërkojnë dokumentet e tyre personale, kinse për t’i “ndihmuar” në regjistrimin për zgjedhjet lokale.
Sipas Morinës, përmes këtyre të dhënave po bëhen manipulime dhe votime të organizuara pa dijeninë dhe pëlqimin e mërgimtarëve. “Të dhënat tuaja personale janë të shenjta – mos i ndani me askënd të panjohur. Regjistrohuni vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe të sigurta,” thekson ai.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse hasin në raste të tilla, t’i denoncojnë menjëherë tek institucionet përkatëse. “Vota juaj është e juaja – mos lejoni askënd të vendosë në vendin tuaj,” përfundon reagimin e tij Muharrem Morina.

