Kuvendi Komunal i Rahovecit shpall “non grata” Igor Popoviqin pas deklaratave kundër UÇK-së

Kuvendi Komunal i Rahovecit shpall “non grata” Igor Popoviqin pas deklaratave kundër UÇK-së

Kuvendi Komunal i Rahovecit, në mbledhjen e mbajtur të enjten, miratoi një deklaratë unanime me të cilën dënohet gjuha e përdorur nga ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, gjatë një vizite në fshatin Hoçë e Madhe, duke e shpallur atë person “non grata”.

Deklarata, e prezantuar nga kryetari i komunës, Smajl Latifi, thekson rëndësinë e reagimit institucional për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe nderimin e sakrificës së qytetarëve të Rahovecit.

“Në emër të qytetarëve të Komunës së Rahovecit, ne përfaqësuesit e Kuvendit Komunal shprehim shqetësimin ndaj deklaratave fyese dhe tendencioze të Igor Popoviq. Këto deklarata përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj historisë sonë dhe përpiqen të njollosin luftën e drejtë dhe të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Kuvendi i bën thirrje përfaqësuesve lokalë dhe banorëve të Hoçës së Madhe të distancohen nga kjo gjuhë përçarëse, e cila bie ndesh me vlerat e paqes dhe bashkëjetesës që kultivon shteti i Kosovës.

TAGS
Share This