
Skandal në Rahovec: Babai i drejtorit përfiton motokultivator nga komuna, dokumenti publikohet pas hakimit të llogarisë së drejtorit
Në Komunën e Rahovecit është hapur një tjetër çështje që ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e ndarjes së subvencioneve dhe përfshirjen e familjarëve të zyrtarëve në lista për përfitime bujqësore.
Ditëve të fundit, në rrjetin social Facebook, përmes një llogarie të hakuar të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, z. Afrim Oruqi, është publikuar një kontratë zyrtare e Komunës së Rahovecit, ku figuron emri i babait të tij, Bajram Sadik Oruqi, si përfitues i një motokultivatori nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Dokumenti mban numër protokolli dhe vulën zyrtare të komunës, duke ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe mungesë transparence në ndarjen e mjeteve bujqësore.
Rasti ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ku qytetarët kërkojnë qartësim nga komuna dhe organet përgjegjëse nëse ky përfitim është në përputhje me rregullat dhe kriteret e shpallura, apo nëse bëhet fjalë për favorizim të familjarëve të zyrtarëve komunalë.
Në një kohë kur shumë fermerë të Rahovecit thonë se nuk kanë mundur të përfitojnë nga subvencionet komunale, publikimi i këtij dokumenti, qoftë edhe përmes një llogarie të hakuar, e bën edhe më të domosdoshme sqarimin zyrtar të rastit.

