Vreshtarët kërkojnë çmime të drejta: Shoqata “Kultivuesit e Rrushit” mban takimin e parë për sezonën 2025

Vreshtarët kërkojnë çmime të drejta: Shoqata “Kultivuesit e Rrushit” mban takimin e parë për sezonën 2025

Sot është mbajtur takimi i parë i Shoqatës “Kultivuesit e Rrushit”, me fokus kryesor çmimet dhe procesin e grumbullimit të rrushit për sezonin 2025.

Vreshtarët pjesëmarrës shprehën pakënaqësi të theksuara ndaj çmimeve të ulëta të ofruara nga përpunuesit, si dhe ndaj mënyrës së qasjes në blerjen e rrushit. U rikujtua se dy vitet e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështira për kultivuesit: në vitin 2024 për shkak të thatësirës, ndërsa këtë vit rendimentet janë dëmtuar rëndë nga ngricat e prillit. Si pasojë, shumë vreshta kanë mbetur me prodhim të ulët, duke rritur presionin mbi fermerët.

Në përfundim të takimit, u theksua nevoja për unitet dhe bashkërendim të veprimeve mes vreshtarëve. Shoqata u bëri thirrje të gjithë anëtarëve që të mos pranojnë marrëveshje individuale me përpunuesit deri në takimin e ardhshëm, me qëllim që të shmanget nënçmimi i rrushit dhe të arrihet një qëndrim i përbashkët për të mbrojtur interesat e kultivuesve.

Takimi i radhës është caktuar të mbahet më të mërkurën, më 27 gusht 2025, në orën 19:00, në sallën e Entit të Vreshtarisë. Shoqata fton të gjithë kultivuesit e interesuar të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me idetë dhe qëndrimet e tyre.

TAGS
Share This